RECENSION LIBRI
Gjamë e kthyer në vargje
(O zot
ku m’a fsheh f’tyrë e saj
n’mugullin e lotit tem
apo n’çfaqjen qi trillue e kam vet) (13)
Për librin e Adem Gashit “Lady Mak(th)beth”
SALI BYTYÇI
Vëllimi më i ri poetik i Adem Gashit “Lady Mak(th)beth”, që është i ndarë në tre cikle: “Kur kollen malet me mjegull” (Gjama eme), “Humnera e orëve t’ankthit” (Gjama saj) dhe “Fundi ka me kjen nisa e re” (Mbas gjamash) vjen si një këndim i veçantë në poezinë që krijohet sot në Kosovë.
E veçanta e këtij vëllimi buron te gjuha, te përdorimi i saj. Poeti është kthyer në burim të gjuhës, në burim të krijimit (të kangës), po edhe në burim të krijimit të njeriut – dashurisë.
Po ta lexonim nga perspektiva e teorisë së intertekstualitetit, çelësin për të depërtuar në kuptimësinë e vargjeve të këtij vëllimi do ta kërkonim te vargjet e lashta popullore shqiptare, pastaj te shkrimet e shenjta, te Shekspiri, Mjeda dhe Martin Camaj. Thurja poetike të kujton Martin Camajn, po edhe gjeografia poetike e këtij vëllimi lëviz në drejtimin e Shkodrës, kryeqendrës së Gegnisë.
Në vargjet e këtij vëllimi poetik lidhin skajet legjenda dhe e përditshmja, miti dhe realiteti, profeti dhe njeriu, zoti dhe gjarpri (djalli), e bukura dhe destruktivja:
N’gishta t’dorës
po t’shkëlqejnë unazat
e plagëve t’mia (32)
Në pjesën e parë, që është edhe më e gjata – bota, koha dhe ndodhjet (të brendshme e të jashtme) artikulohen përmes “narratorit” autor. Subjekti lirik, duke u shprehur në veten e parë, i artikulon disa të vërteta universale, siç është dashuria, jeta, vdekja. Në veten e parë shpaloset shpirti i subjektit lirik, të cilit i përgjigjet shumëpamjësia e Ladyt – engjëll, demon, zanë, zonuese; hije që e ndjek. Ç’është kjo Lady Mak(th)beth që e mban në ankth subjektin lirik? Qenia e saj sikur është e ndarë në dysh: makth dhe beth, që në vete ngërthen të bukurën, po edhe shkatërruesen. Cila është qenësore në qenien e saj: bukuria apo intriga, apo të dyja bashkë. Në këtë dyzim, subjekti lirik është i zanun në rrjetin e saj, në bukuri/ligësinë e saj.
Ndërkaq në të dytën, në vargje shpaloset bota shpirtërore e subjektit lirik, femër, në një situatë ankthi e dëshpërimi, kur dita natë i bëhet dhe ëndrrat njëra pas tjetrës japin shpirt; një qenie që do të shkrihet e me flakën e vet të ndrisë udhën e atyre që dashurojnë; një monolog me veten e për veten dhe për ata që i ka mbytur dashuria e saj, me ata që janë shuar në luftë me të; një udhëtim drejt të kundërtash; një qenie që djeg dhe në të njëjtën kohë digjet.
Pjesa e tretë, epilogu që i lidh dy pjesët e para, “mbas gjamash”, kthehet në një monolog që bëhet në botën e përtejme. Këtu poetizohen të gjithë ato që u ëndërruan e s’u bënë në një natë pa diell, ndërsa një mbijetim pas vdekjes ndodh përmes metamorfizmit në bimë.
Përzihet miti me të sotmen, profeti me njeriun e thjeshtë, engjëlli me djallin. Në fund, në vargjet e këtij vëllimi sikur na kthehet diçka që e kemi humbur që moti e tani, kur takohemi me të, sikur e heqim mallin për atë që tanimë është shumë larg nesh...
